Zgjedhja e guvernatorit të ri të Bankës Popullore më 20 maj në seancë plenare

Kryeministri Hristian Mickoski paralajmëroi se deri në fund të javës do të ketë qëndrim të qartë kush do të marrë mbështetje për guvernator të ri të Bankës Popullore dhe se zgjedhja do të jetë në seancë plenare në Kuvend më 20 maj. Një nga kushtet për mbështetjen e VMRO-DPMNE-së dhe Qeverisë, siç deklaroi sot, është mbrojtje e rreptë e kursit fiks të denarit.

Mandati pesëvjeçar i guvernatores aktuale Anita Angellovska Bezhoska e cila filloi funksionin më 22 maj të vitit 2018, skadon më 21 maj, ndërsa Mickoski siguron se afati do të respektohet.

“Tashmë patëm bisedime me kryetaren të hënën në këtë temë, pres që t’i vazhdojmë, deri në fund të javës do të jetë i qartë qëndrimi. Pres që të hënën të informohet Kuvendi, në datën 20 do të ketë mbledhje, bisedova me kryetarin e Kuvendit për plotësimin e rendit të ditës në datën 20, kështu që afati do të respektohet”, tha Mickoski, në pyetjen e gazetarëve, pas pranisë në një ngjarje në komunën Aerodrom.

Mickoski theksoi se nuk është me rëndësi se kush është favorit i tij, duke theksuar se të gjithë kandidatët janë me përvojë dhe se është i bindur se do ta ruajnë qëndrueshmërinë makroekonomike.