Zeqiri: Nuk besoj që takimi me Osmanin do të ndryshojë qëndrimet e partive politike

Drejtori ekzekutiv i ECMI-së, Adrian Zeqiri ka thënë se nëse VV-ja nuk e gjen një kandidat që siguron votat për kryeparlamentar, situata në Kuvend do të vazhdojë të jetë e njëjtë.

Duke folur për Klan Kosova, Zeqiri tutje deklaroi se kërkohet bashkëpunim mes partive.

“Qëndrime të njohura, po i shohim të përsëritura. Partitë e kanë hedhur tanimë zarin, s’ka më mbrapa kthehu në pozicionet e tyre politike. Situata është këtu ku jemi. Nëse nuk ka ndonjëra palë, kemi të bëjmë me VV-në apo ndonjë parti të opozitës, nuk e ndryshon këtë qëndrim, qëndrimi bie në partinë më të madhe e cila duhet të propozojë një kandidat që siguron shumicën ashtu siç edhe kërkohet”, tha Zeqiri, njofton Klankosova.tv.

“Kërkohet bashkëpunim mes partive politike, prej partisë së parë për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Duhet të gjejnë një kandidat që sigurojnë vota”.

Më tej, Zeqiri tha se nuk beson se takimi me presidenten e Kosovës do të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve të partive opozitare për ngërçin politik.

“Mendoj që takimet me Osmanin do të jenë veç e veç. Si duket presidentja ka marrë përsipër koalicionet parazgjedhore që kanë konkurruar në zgjedhjet e fundit. Është një kyçje e mirë e presidentes, mirëpo nuk besoj që kjo do të prodhojë ndryshim në qëndrimet e partive politike”, tha ai.