Zeqiri godet VLEN-in: “Korridori 8 nuk filloi me selfie-t tuaja, por kur ju e shanit!

Zëdhënsi i ASH-së, Arben Zeqiri ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, duke rikujtuar se projekti madhor i Korridorit 8 nuk është nismë e qeverisë aktuale, por ka filluar vite më parë nën një tjetër drejtim politik.

Zeqiri theksoi se në atë kohë, kundërshtarët e sotëm e kritikonin dhe e quanin të dëmshëm projektin, duke u bashkuar me fushata kundër lidhjes së shqiptarëve në rajon. “Historia nuk fillon me ju. Korridori 8 filloi kohë më parë, nga një Qeveri tjetër, me njerëz të tjerë, filloi atëherë kur ju e shanit këtë projekt,” shkroi Zeqiri.

Ai shtoi se është pikërisht qeverisja dhe vizioni i forcave politike që ai përfaqëson që i hapi rrugën këtyre zhvillimeve infrastrukturore. “Mirë që lamë pas diçka me të cilat ju sot mund të fotografoheni, se ndryshe…”, përfundoi ai me ironi.

Korridori 8 konsiderohet një nga projektet më strategjike për lidhjen infrastrukturore të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Bullgarinë, dhe ka qenë shpesh në qendër të debateve politike.