Zelensky thotë se Ukraina po pret tre milionë predha artilerie nga aleatët

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina shpreson të marrë rreth tre milionë predha artilerie nga aleatët e saj këtë vit, përfshirë 1.8 milion nga një program i udhëhequr nga Çekia.

Gjatë një takimi me presidentin çek dhe ish-gjeneralin e NATO-s, Petr Pavel, Zelensky tha gjithashtu se po zhvilloheshin diskutime për një shkollë trajnimi ukrainaso-çeke për pilotët e aeroplanëve luftarakë F16.

“Natyrisht, për arsye sigurie, ne nuk mund të hapim një bazë të tillë në Ukrainë në këtë kohë. Sulmet ruse vazhdojnë çdo ditë dhe për këtë arsye ne po punojmë me partnerët tanë për të siguruar që shkolla të tilla të mund të hapen jashtë Ukrainës dhe kjo do të ndodhë”, shpjegoi Zelensky.

Gjatë takimit, ai përsëriti thirrjen e tij për një pauzë 30-ditore të armiqësive, siç kishin propozuar fillimisht SHBA-të, dhe tha se besonte se një armëpushim me Rusinë ishte i mundur.

“Sot është dita e 54-të që Rusia ka injoruar propozimin amerikan për një armëpushim të plotë. Ne besojmë se një armëpushim është i mundur në çdo kohë, madje edhe nga sot, dhe duhet të zgjasë të paktën 30 ditë për t’i dhënë diplomacisë një shans të vërtetë. Dhe jam mirënjohës ndaj Republikës Çeke për mbështetjen e qëndrimit tonë në këtë propozim”, tha Zelensky.

Vizita e tij në kryeqytetin çek vjen mes njoftimit të Rusisë për një armëpushim 72-orësh javën e ardhshme për të shënuar Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Ndërkohë udhëheqësi kinez Xi Jinping do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Rusi nga 7 deri në 10 maj, konfirmoi Kremlini të dielën, për të diskutuar “zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik” dhe “çështjet në axhendën ndërkombëtare dhe rajonale”.