Zëdhënsja e Qeverisë Venera Azizi: Marrëveshje historike dhe miliarda euro investime – Po e rishkruajmë hartën ekononomike të vendit
Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi, në rrjetat sociale ka prezantuar një bilancin e arritjeve për 11 muajt e fundit të qeverisjes, duke theksuar se ndryshimi është i dukshëm dhe i matshëm përmes rezultateve konkrete në shumë fusha të jetës publike dhe ekonomike.
Në një postim publik, Azizi vlerësoi si historike marrëveshjen me Britaninë e Madhe për investime kapitale në vlerë prej 6 miliardë eurosh, duke theksuar se kjo nismë përfaqëson një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ajo njoftoi gjithashtu se tashmë ka filluar implementimi i konceptit One Stop Shop në pikën kufitare të Bllacës, ndërsa ky model do të shtrihet edhe në Jazhincë, Tabanoc dhe Qafë Thanë, me synim përmirësimin e efikasitetit në dogana dhe shërbime kufitare.
Në fushën e infrastrukturës dhe investimeve vendore, Azizi theksoi se:
• Janë ndarë 300 milionë euro për komunat, që po përkthehen në ndërtim të shkollave, çerdheve, sallave sportive, bibliotekave, rrugëve, ujësjellësve dhe kanalizimeve;
• 35 milionë euro janë ndarë për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”;
• 20 milionë euro për ndërtimin e një parkingu nëntokësor tek Sheshi Skënderbe në Shkup;
• 250 milionë euro janë vënë në dispozicion për mbështetjen e kompanive vendase;
• Për bujqit e rinj janë ndarë 10.000 euro si mbështetje fillestare për nisjen e veprimtarisë.
Në sektorin social dhe ekonomik, janë shënuar këto përparime:
• Rritje pagash në arsim me 12%, në shëndetësi me 15%, për policinë me 10%;
• Rritje të kapitacionit për mjekët amë dhe gjinekologët me 33%, si dhe për stomatologët me 22%;
• Rritje pensioni prej 5.000 denarësh për 340.000 pensionistë brenda 9 muajve;
• 720 milionë euro investime të huaja tërhequr, që kanë krijuar 2790 vende të reja pune.
Azizi përmbylli njoftimin duke theksuar se qeveria do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve me guxim, vizion dhe veprim të përkushtuar:
“Ne veprojmë, ne guxojmë, ne ndryshojmë.”