Zanetti: Finalja me PSG-në është 50 me 50, Inzaghi lider absolut, Lautaro meriton Topin e Artë

Javier Zanetti, legjendë dhe aktualisht nënkryetari i Interit, ëndërron një kalim simbolik të stafetës: nga kapiteni i dikurshëm te kapiteni aktual, nga një argjentinas te një tjetër, nga duart e tij tek ato të Lautaro Martínez-it, me trofeun e Champions League në mes. Pas fitores së vështirë ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, Zanetti foli për “Radio La Red”, duke komentuar finalen e 31 majit kundër Paris Saint-Germain në Mynih.

“Jam krenar për paraqitjen e Interit,” u shpreh Zanetti. “Ndaj Barcelonës, si në vajtje ashtu edhe në kthim, skuadra tregoi përkushtim dhe kaloi me sukses momente të vështira. U përballën dy ekipe me stile të qarta dhe mënyra të ndryshme loje. Finalja ndaj PSG-së? Është një ndeshje 50 me 50. Ata gjithashtu e merituan finalen. Është një përballje teke dhe duhet ta luajmë me vendosmëri, duke shpresuar të mbajmë nivelin që treguam në gjysmëfinale.”

Zanetti nuk kurseu lavdërimet për trajnerin Simone Inzaghi, arkitektin e këtij suksesi: “Ai është lideri absolut i kësaj skuadre. Është me ne prej katër vitesh dhe i ka bërë të gjithë shumë konkurrues. Me të kemi arritur dy finale të Champions League brenda tri vitesh.”

Por në qendër të lavdërimeve ishte edhe kapiteni Lautaro Martínez: “Shpresoja që një ditë do bëhej lojtari që është sot. Kundër Barcelonës dha gjithçka deri sa u zëvendësua. Ai është thelbësor si për Interin ashtu edhe për Kombëtaren. Jep gjithmonë maksimumin. Nuk ka asnjë dyshim që ka potencialin për të fituar Topin e Artë. Këtu ndihet i lumtur, i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Ka një ndjenjë të fortë përkatësie dhe kur ndihesh mirë aty ku je, kjo të ndihmon të shkëlqesh.”