Ka dështuar propozimi i VV-së në Kuvend që votimi për kryeparlamentar të bëhet me votë të fshehtë.
VV-ja nuk mori votat e mjaftueshme që ta kalojë këtë propozim që nga partitë tjera u konsiderua si arbitrar dhe në kundërshtim me rregulloret e Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dolën kundër ndryshimit të formës së votimit për Kryeparlamentar.
Asnjëra nga këto parti s’kanë propozuar anëtarë Komisioni.
Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi, tha se kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme. Sipas Krasniqit, ndryshimi i mënyrës së votimit do të duhej të bëhej në fillim të procesit.
“z.Kurti të thash nuk keni të drejtë në mes të votimit me ndryshu formën e votimit. Prej kur ka Kuvend, kjo është e paprecedentë. Sikur të kishi vendos në fillim ndoshta do të ishte e pranueshme, por tani s’është e pranueshme. Mos e thelloni krizën…Propozoni dikë që i merr votat dhe ju e dini që ka në mesin tuaj të tillë”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë, Hykmete Bajrami nga LDK deklaroi se do ta dërgojnë këtë lëndë në Kushtetuese.
Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Ne nuk do të bëhemi asnjëherë pjesë e shkeljeve tuaja. Nuk mundesh me e ndryshu mënyrën e votimit pasi ke hy në proces. Ne jemi në proces dhe krejt çka lejohet është të procedojmë me votim. Në qoftë se procedoni, ne këtë lëndë do ta dërgojmë në Kushtetuese”, ka thënë Bajrami.
Votimin e fshehtë e ka refuzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Qëndrim të njëjtë ka shprehur edhe Lista Serbe.
Seanca është shtyrë për të shtunën, më 3 maj. /Reporteri.net/