VMRO-DPMNE kundër akuzave të Taravarit: Ai në Qeveri nuk ka folur asnjëherë për çështjet kyçe të shqiptarëve
Sonte partia do të mbajë një mbledhje të rregullt të Komitetit Ekzekutiv, në të cilën do të diskutohet për akuzat e Taravarit për pengimin e pozitës së shqiptarëve dhe pakënaqësinë e tij që Maqedonia po stagnon në rrugën drejt BE-së, deklaroi në një konferencë për shtyp Valentin Manasievski, anëtar i Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE.
Ai theksoi se e mohojnë fuqishëm që deri tani të jetë diskutuar për ndonjë ndërrim ministrish apo resorësh, apo se kush do ta marrë Ministrinë e Shëndetësisë.
„Kjo nuk është e vërtetë. Sa i përket vetë Taravarit, dëshirojmë të theksojmë këtë:
Nga pjesëmarrës aktivë në Qeveri mund të mësohet se z. Arben Taravari ka qenë pjesëmarrës aktiv në këto takime. Por, në ato takime, z. Taravari asnjëherë nuk ka diskutuar për Ligjin për gjuhët, as për rregullimin ligjor të balancuesit. Nuk ka folur dhe askush nuk e ka dëgjuar të flasë për integrimet në BE, që janë të bllokuara për shkak të kontestit të trashëguar me Bullgarinë – i krijuar pikërisht nga ata në përqafimin e të cilëve tani po shkon.
Por, dimë që ka treguar interes për koncesionarin e parkingjeve në Qendrën Klinike “Gjoka”, sepse është përjashtuar nga loja. Ka treguar interes të gjallë për z. Artan Grubi, për z. Zoran Zaev dhe për bizneset e tyre, si dhe për çështje të rëndësishme për BDI-në“, u përgjigj Manasievski.
Ai shtoi se nuk mund dikush të pretendojë se është pjesë e Qeverisë, ndërkohë që qëndron në përqafimin e krimit të LSDM-së dhe BDI-së. Kjo, sipas tij, është tradhti e premtimit të dhënë qytetarëve.