VLEN: Mirënjohje për punëtorët, jemi të përkushtuar për kthimin e dinjitetit të punëtorëve me vepra konkrete
Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, subjekti VLEN shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë punëtorët e vendit, të cilët çdo ditë kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe njerëzor të shtetit tonë. Meqëse pushtetet e kaluar kanë luajtur me dinjitetin e punëëtorëve, shumë prej tyre i kanë detyruar të largohen nga vendi, që nga ardhja jonë në pushtet gjërat kanë ndryshuar. Atë që e kishim zotim fushate për punëtorët po e bëjmë realitet e kjo po dëshmohet çdo ditë.
Si VLEN jemi të përkushtuar në mënyrë të palëkundur për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve në vend, duke e vënë në qendër të politikave tona konceptin e punës me dinjitet dhe meritokraci. Rezultatet e punës dhe angazhimit për të cilin po flasim tashmë janë të prekshme dhe të dukshme:
Rritja e pagës minimale, me planifikim për harmonizim të mëtejshëm me koston reale të jetesës;
Krijimi i mekanizmit që garanton një rritje të drejtë dhe të qëndrueshme të pagave, duke siguruar që qytetarët të përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zhvillimi ekonomik i vendit.
Bashkëpunimi i ngushtë me sindikatat, bizneset dhe të gjithë aktorët relevantë që kujdesen dhe kanë punëtorë
Janë punësuar numër i madh i punëtorëve me vendime dhe jo kontrata fiktive siç ka vepruar ish pushteti
Kemi rritur numrin e inspektimeve në mënyrë që të parandalojmë keqtrajtimin e punëtorëve
Është rritur ndjeshëm buxheti për sigurinë dhe shëndetin në punë, me fonde të dedikuara për trajnime dhe masa parandaluese në vendin e punës
Mundësi të reja për të rinjtë, duke financuar me shuma shumfishë më të larta idetë inovative dhe mbështetjen e projekteve të hartuar
VLEN beson se dinjiteti i punëtorit është shtyllë e pandashme e një shteti demokratik dhe të drejtë. Në këtë drejtim, angazhimi ynë është i vazhdueshëm që të ndërtojmë një treg pune që ofron barazi, siguri dhe zhvillim për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Në këtë ditë të rëndësishme, ripërsërisim përkushtimin tonë për të qenë gjithmonë në krah të punëtorëve, jo vetëm me fjalë boshe, por me vepra konkrete dhe politika që sjellin ndryshim të qëndrueshëm.
VLEN beson në fuqinë punëtore, punëtorët janë bazamenti i funksionimit të shtetit!