Vendimi për shqipen mund të shtyhet

Gjykata Administrative ka lëshuar një vendim me të cilin anulohet vendimi i Parlamentit për emërimin e gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dukovska, e cila së fundmi ishte gjyqtare raportuese për çështjen mbi ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Vendimi u miratua dje, dhe sipas vendimit që publikoi Alsat, ai hyn në fuqi menjëherë. Dukovska u zgjodh gjyqtare në Kuvend më 10 prill 2023, ndërsa gjashtë muaj pas zgjedhjes së saj, Antoaneta Dimovska, anëtare e Këshillit Gjyqësor, ngriti padi.

Anulimi i zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues ndodh një muaj para se të mbahet seanca përgatitore e Gjykatës Kushtetuese. Tërheqja e Dukovskës nga detyra gjyqësore mund të hapë mundësinë e shtyrjes së vendimit për ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese më parë ka miratuar një përfundim se kjo çështje do të vendoset nga përbërja e plotë e Gjykatës Kushtetuese.