Vendimi gjyqësor u dha në ashensor – rast i paprecedent në drejtësinë e Maqedonisë

Në vend që ta dëgjonte vendimin gjyqësor në sallën e gjyqit, ai e mori atë në ashensor… Aleksandar Cvetkovski, bashkëshortja e të cilit u përplas për vdekje para dy vitesh, për Kanal 5 thotë se ende është i tronditur nga sjellja e gjykatëses Cvetanka Nikodinovska, të cilën e takoi rastësisht në ashensorin e Gjykatës Themelore në Manastir, ku ajo i tha se autori i veprës, Dimitar Petkovski, është dënuar me 9 vjet burg për rastin. Ai thotë se është i zhgënjyer nga sjellja e një institucioni të tillë dhe pret më shumë seriozitet nga Gjykata e Apelit.

“Kur më pyeti në ashensor se për ku jam, i thashë në katin e katërt, tek ju, dhe ajo më pa dhe më tha: ‘Ah po, tek unë, në rregull – nëntë vjet, kaq është.’ I thashë, ‘Si nëntë vjet?’ – ‘Nëntë vjet, aq është dënimi me burg,’ tha ajo. I thashë, ‘Nuk po ju kuptoj.’ – ‘Nuk ka çfarë të kuptosh më, kjo është.’ I thashë që sot kemi marrë ditë pushimi nga puna për ta dëgjuar vendimin. – ‘Nuk ka shpallje, nuk ka nevojë të vijë askush, ja po jua them tani unë.’ Unë isha në shok të madh. Para se të dilnim nga ashensori, i thashë gjykatëses: ’Nuk mund të kishit zgjedhur moment dhe vend më të mirë për të shpallur një vendim të tillë sesa në ashensor.” – Aleksandar Cvetkovski – Bashkëshorti.

Ndërsa nga Gjykata Themelore në Manastir thonë se në seancën e caktuar për shpalljen e aktgjykimit kanë qenë të pranishëm anëtarë të familjes së viktimës, të cilëve u është komunikuar verbalisht vendimi.

“Në seancën e caktuar për shpalljen e aktgjykimit, më 14.05.2025 në orën 13:00, nuk ishin të pranishëm palët në procedurë, por ishin të pranishëm vetëm anëtarë të familjes së të ndjerës (viktimës), të cilëve u është shpallur verbalisht dhe publikisht aktgjykimi,” – Tatjana Petrovska, Kryetare e Gjykatës Themelore Manastir.

Cvetkovski thotë se si familje janë të pakënaqur edhe me lartësinë e dënimit për shkak të rrethanave rënduese dhe se do të ankohen në gjykatën më të lartë. Sipas tij, Petkovski, i cili e përplasi bashkëshorten e tij jashtë shiritit të rrugës, kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe nuk kishte ofruar ndihmë. Madje, siç thotë ai, fillimisht ishte përpjekur që fajin ta marrë përsipër babai i tij, por pas 24 orësh, Petkovski – i cili është polic i trafikut – kishte shkuar të paraqitej, por tashmë kishte kaluar shumë kohë për të kryer testin e alkoolit.