Në margjinat e forumit të dhjetë vjetor të Strategjisë së BE-së për rajonin Adriatik-Jonian (EUSAIR) që mbahet në ishullin Kretë në kuadër të kryesimit grek, vendi ynë sot në ceremoni solemne edhe zyrtarisht do ta ndërmarrë kryesimin e ardhshëm me EUSAIR nga nikoqiri Greqia, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bëhet fjalë për kryesimin e parë pasi vendi u bë pjesë e këtyre formateve të bashkëpunimit rajonal, ndërsa delegacioni ynë udhëhiqet nga ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani.
Forumi i dhjetë jubilar i Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatik-Jonian që filloi dje është në kuadër të kryesimit grek me Strategjinë makro-rajonale të BE-së për rajonin Adriatik-Jonian (EUSAIR) dhe me Nismën Adriatik-Jonian (AII), ndërsa sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë në forumin vjetor në Kretë do të mbahet “Takimi ministror i Nismës me miratimin e Deklaratës së Kretës; panel i ministrave kompetent për programe evropiane; ceremonia e dorëzimit të kryesimit të Greqisë për Maqedoninë e Veriut, si dhe konferencë për media e shefave të të dy kryesive”.
Siç njoftuan dje nga Ministria për Çështje Evropiane, ministri Murtezani do të marrë pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të kryesimit, në panelin e ministrave për fonde të BE-së dhe takimin ministror, si pjesë e agjendës më të gjerë të Forumit kushtuar përforcimit të bashkëpunimit rajonal, lidhshmërisë dhe integritetit në rajonin Adriatik-Jonian.
Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me EUSAIR dhe Nismën Adriatik-Joniane fillon më 1 qershor të vitit 2025 dhe do të zgjasë një vit.
Kryesimi grek me EUSAIR filloi vitin e kaluar dhe përfundon në fund të muajit.
“Qëllimi i kryesimit grek dhe Forumit është përforcimi i bashkëpunimit rajonal në rajonin makro Adriatik-Jonian, promovimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, theksimi i rolit të kohezionit social, theksimi i aftësive të kaltërta dhe ballafaqimi me ndryshimet klimatike në Planin e ri aksionar të rishikuar, si dhe të lidhet EUSAIR me Kohezionin e ardhshëm politik pas vitit 2027”, njoftuan nga Ministritë e Ekonomisë dhe Financave si dhe të Punëve të Jashtme të Greqisë.
Ata shtuan se me forumin e dhjetë vjetor të Kretës do të theksohet “roli strategjik i Greqisë si urë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor dhe do të konfirmohet edhe përkushtimi i fortë i vendit drejt përforcimit të kohezionit evropian, bashkëpunimit transnacional dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin më të gjerë”.