Udhëheqësit evropianë mbërrijnë në Kiev mes përpjekjeve për një armëpushim njëmujor

Udhëheqësit e katër vendeve evropiane mbërritën në Kiev, në shenjë të mbështetjes së përbashkët, ndërkohë që po shtohen thirrjet që Rusia ta pranojë një armëpushim njëmujor në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Liderët e Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbërritën së bashku në stacionin hekurudhor të Kievit, ku u takuan me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Ata vendosën së bashku lule në një memorial të improvizuar për ushtarët e rënë ukrainas, në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, gjatë një ceremonie që shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo është hera e parë që udhëheqësit e katër vendeve udhëtojnë së bashku në Ukrainë.

Ndërkaq, Fridrih Merz po e zhvillon vizitën e tij të parë në Ukrainë si kancelari i ri i Gjermanisë. Së bashku me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, udhëheqësit evropianë po kërkojnë nga Rusia ta pranojë një armëpushim 30-ditor për të hapur rrugën për bisedime për paqe, me qëllim që t’i jepet fund luftës.