U mbajt peng për 19 muaj, momenti kur amerikano-izraeliti ribashkohet me familjen pasi u lirua nga Hamasi
Pengu izraelito-amerikan Edan Alexander është ribashkuar me familjen e tij në Izrael pasi u mbajt rob nga Hamasi në Gaza për 19 muaj.
Sipas mediave të huaja, 21-vjeçari kishte shërbyer në ushtrinë izraelite në kufirin e Gazës kur u kap nga militantët e Hamasit më 7 tetor 2023.
Të hënën, Izraeli ndaloi operacionet e tij ushtarake në Gaza për disa orë për të lehtësuar transferimin.
Një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se lirimi ishte menduar si një gjest i vullnetit të mirë dhe si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi përpara vizitës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Lindjen e Mesme të martën.
Redemption of Hostages
Staff-Sgt. Edan Alexander, reunites with his family at the initial reception facility. pic.twitter.com/PDp8uX48ce
— Prime Minister of Israel (@IsraeliPM) May 12, 2025
Dhe Alexander mendohet të jetë shtetasi i fundit amerikan i mbajtur nga Hamasi që ishte ende gjallë.
Imazhet televizive tregojnë Edan Alexander duke buzëqeshur ndërsa përqafon prindërit dhe të afërmit e tjerë në një bazë ushtarake izraelite.
Në një deklaratë, familja e tij falënderoi presidentin amerikan, por gjithashtu i kërkoi qeverisë dhe negociatorëve izraelitë të vazhdojnë të punojnë për të liruar 58 pengjet e mbetura.
Alexander është pengu i parë që lirohet nga Hamasi që kur Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake më 18 mars, pas një armëpushimi dy-mujor.