Tripunovski: Rritja prej 11 milionë eurosh në eksport gjatë tremujorit të parë tregon se bujqësia maqedonase po ecën në drejtimin e duhur

“Kemi një rritje serioze në krahasimin mes tremujorit të parë të vitit 2024 dhe tremujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në të gjitha segmentet e prodhimit bujqësor kemi rritje serioze në blerjen dhe shitjen e produkteve,” theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, gjatë paraqitjes në emisionin “Tema e ditës” në TV Sitel.

“Në sektorin e drithërave kemi rritje prej 42%, në prodhimin e perimeve 50%, në pemëtari dhe vreshtari 12%. Në blegtorinë, që përfshin bagëtinë, shpendët, vezët, qumështin dhe produktet e qumështit, shënojmë rritje nga 9% deri në 63%,” sqaroi ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se tek kultura e bimëve industriale, Enti i Statistikave ka dhënë një referencë negative për shkak se në tremujorin e parë të vitit të kaluar ishte realizuar grumbullimi i duhanit nga fushata e vitit 2023, pasi kishte pasur vonesa në procesin e grumbullimit. Ndërsa këtë vit, pjesa më e madhe e duhanit është blerë në tremujorin e fundit të vitit 2024, dhe kjo shkakton dallimin në krahasim. Megjithatë, edhe për duhanin, numrat tregojnë rekorde sa i përket plasmanit dhe hyrjes së valutës së huaj, janë grumbulluar mbi 24 milionë kilogramë duhan, që kanë sjellë mbi 196 milionë euro për duhanprodhuesit.

“Sot kryeministri ndau një lajm të mirë, dhe ai është se kemi një rritje prej rreth 5% në eksportin total në sektorin bujqësor-ushqimor. Nëse shohim vetëm eksportin e frutave dhe perimeve, kemi rritje prej 14% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sa i përket duhanit, aty kemi rritje prej 35%. Në shifra të sakta, në tremujorin e parë të vitit 2024 eksporti ishte 152 milionë euro, ndërsa këtë vit ai kap vlerën prej 163 milionë euro. Pra, kemi një rritje prej 11 milionë eurosh,” përfundoi ministri.

Ai theksoi se këto janë të dhëna vetëm për tremujorin e parë dhe shprehu pritshmëri që deri në fund të vitit, diferenca pozitive në krahasim me vitin e kaluar do të jetë nga 45 deri në 50 milionë euro.