Tragjedi në Kërçovë: Ndahet nga jeta në aksident Besnik Rizmani, 33 vjeç

Një tjetër tragjedi ka goditur rëndë zemrat e qytetarëve të Kërçovës. Të dielën, më 04.05.2025, rreth orës 14:30, në rrugën kryesore Dibër–Strugë, pranë fshatit Otishani, ndodhi një aksident fatal trafiku, ku humbi jetën Besnik Rizmani, 33 vjeç, nga Kërçova.

Sipas të dhënave zyrtare, përplasja ndodhi mes një veture pasagjerësh “Peugeot-406” me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.G. (43) nga Shkupi, dhe një motoçiklete “Dukati” me targa të Kërçovës, e drejtuar nga viktima. Ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të Ndihmës së Shpejtë nga Dibra fatkeqësisht nuk mundi të shpëtonte jetën e të riut, vdekja e të cilit u konfirmua në vendngjarje.

Në aksident u plagos edhe M.G. (42), pasagjer në veturën nga Shkupi, i cili u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër, ku iu konfirmuan lëndime trupore.
Humbja e Besnikut ka lënë një boshllëk të thellë në mesin e miqve dhe shokëve të klasës, të cilët reaguan me dhimbje në rrjetet sociale:
“Na iku Besniku. Na iku pa paralajmërim, si fjalët që s’na dalin kur dhimbja na mbyt. E ndjejmë boshllëkun në zemër, në zërat tanë që s’dinë si ta thërrasin më emrin e tij.
Ishte mik i rrallë – i heshtur kur duhej, i zjarrtë kur fliste për drejtësi. Besniku ishte besnik. Na mbushte me dritë pa u përpjekur. Si Bujari që na mungon prej majit tjetrit, edhe Besniku iku në këtë muaj që tashmë e njohim për dhembjen.”

Pas vetes, ai la një djalë të vogël, Korabin, i cili tani do të rritet me kujtimin e një babai që ishte vetë simboli i lartësisë dhe mirësisë. Pranë tij qëndron tani një nënë që mban barrën e dy dashurive: atë të saj dhe të të ndjerit.
Lamtumirë, Besnik. Në heshtjen që le pas, do të të kujtojmë gjithmonë.

Varromi behet sot ne ora 17.00 te varrezat e reja ne Kercove.