Taravari shkëputet nga Albini, afrohet me Ramën

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Pa dhënë hollësi të tjera për takimin, Taravari e ka cilësuar Ramën si kryeministrin më europian.

“Me kryeministrin më europian të momentit ose si thuhet kudo kohët e fundit: me Edin”, ka shkruar Taravari në profilin e tij në ‘Facebook’.

Ndryshe, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni VLEN dhe qeveria e Mickoskit. Taravari ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.

Edhe zyrtarë të tjerë të Aleancës për Shqiptarët e kanë pasuar atë duke dhënë dorëheqje, siç ishte rasti me zëvendësministrin e Bujqësisë, Flakron Bexheti dhe zëvendësministren e Mbrojtjes, Elfet Ismaili.

Burime të NACIONALE-s mësojnë se pakënaqësitë mes atyre që ishin aleatë në koalicionin VLEN kanë të bëjnë edhe me frikën e tyre ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ndikimit të tij në Maqedoninë e Veriut.

Fobinë ndaj Ramës e ushqen kryesisht deputeti Bekim Qoku, si njeriu i Albin Kurtit në Maqedoninë e Veriut–kjo pati kulmuar në muajin e kaluar kur kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami e akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn në “çështjet e brendshme të Maqedonisë.”

Kjo ka bërë që ata që ishin aleatë para disa muajsh ta shohin me sy jo të mirë afrimin e Taravarit dhe Aleancës për Shqiptarët me Edi Ramën./Nacionale/