Taravari: Do të flas me Mickoskin, s’dua të jemi pjesë e kësaj klime thashethemesh dhe konspiracionesh

Lideri i Aleancës për Shqiptarë, Arben Taravari, në një deklaratë për TV21 ka komentuar deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoskit,i cili tha se Taravari dhe disa njerëz rreth tij kanë vendosur të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe BDI-së.

“Kryeministri Mickovski ka qenë dhe është nën një presion të madh kohëve të fundit për shkak të disa gjërave, dhe më vjen keq kur dëgjoj që edhe ai bie pre e këtyre “besytnive”. E vërteta e vetme është se ne si parti kemi vendosur të dalim me lista të veçanta këshilltarësh në zgjedhjet lokale. Ky vendim nuk u mirëprit nga grupi shqiptar në Qeveri dhe ngritën 1 mijë alibi. Ne nuk duam të jemi më pjesë e kësaj klime thashethemesh dhe konspiracionesh që është krijuar. Ata politikanë shqiptarë që janë në Qeveri fatkeqësisht nuk ndryshojnë dot, janë pasardhës të mentalitetit të vjetër politik. Gjithsesi do të flas personalisht me z.Mickovski për t’i treguar qartë e saktë për vendimin tonë”, ka theksuar Taravari për TV21.