Szczesny ka kontratën e re në tavolinë, por tregon se tjetër kush vendos për të

Në fund të një sezoni mbresëlënës, Barcelona po përgatit një shpërblim të merituar për portierin polak, Wojciech Szczesny. Klubi katalanas është gati t’i ofrojë atij një kontratë të re dyvjeçare si shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm këtë sezon.

Szczesny erdhi në ndihmë të Barcelonës në një moment krize, kur Marc-Andre ter Stegen u dëmtua dhe sezoni i tij përfundoi para kohe. Polaku, i cili kishte njoftuar tërhiqjen nga futbolli, u rikthye nga pensioni për të mbushur boshllëkun në portë.

Ai jo vetëm që mori përsipër përgjegjësinë, por u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të suksesit të Barcelonës, duke ndihmuar ekipin të afrohet me fitimin e të tre trofeve kryesorë në Spanjë: Superkupës, Kupës së Mbretit dhe La Ligës.

Barcelona po i blindon me kontrata të reja tre yjet e skuadrës
Lexo po ashtu
Barcelona po i blindon me kontrata të reja tre yjet e skuadrës
Portieri polak ka konfirmuar se ka marrë një ofertë për kontratë të re, por nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. Ai theksoi se ky është një vendim familjar, që duhet marrë së bashku me gruan dhe fëmijët e tij.

“Nuk e mohoj që më është ofruar një kontratë dyvjeçare, por duhet të diskutoj me familjen. Kam nevojë të kuptoj se çfarë është më e mira për ne. Ia kam borxh gruas sime të jemi të qartë për hapat e ardhshëm,” tha Szczesny për Canal+.

Ai shtoi me humor se shumica e vendimeve në familje i takojnë gruas së tij. “Ne kishim planifikuar të qëndronim një vit, të realizonim ëndrrat tona dhe pastaj të luanim golf. Tani kemi për të shqyrtuar edhe shkollën e fëmijëve dhe zhvendosjen, janë shumë faktorë”, deklaroi portieri polak.

Një problem i mundshëm është rikthimi i ter Stegen në stërvitje, që do ta vendoste Szczesnyn në rolin e portierit të dytë. Kjo e bën më të vështirë vendimin për të qëndruar në klub si rezervë.

Megjithatë, oferta e Barcelonës është një akt i respektueshëm që dëshmon se klubi e vlerëson lart përkushtimin dhe sakrificën e Szczesnyt. Edhe nëse ai vendos të largohet, kontributi i tij do të mbetet i paharruar.