Sulmet izraelite nuk ndalen, viktimat në Gaza kalojnë shifrën 52.800

Të paktën 52.829 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga tetori 2023, njoftoi të dielën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Në një deklaratë të ministrisë citohet se 19 persona u vranë gjatë 24 orëve të fundit nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa 81 të tjerë u plagosën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 119.554 që nga fillimi i ofensivës.

“Shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja dhe nëpër rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk arrijnë t’i ndihmojnë”, thuhet më tej në deklaratë.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet mbi Rripin e Gazës më 18 mars dhe që prej atëherë ka vrarë 2.720 persona dhe ka plagosur 7.513 të tjerë, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që hyri në fuqi në janar.