Spitali Modular/ Besimi: S’e kam nënshkruar dokumentin për pranimin e objektit! (VIDEO)

Gjykata e Tetovës shpalli fajtor dhe i dënoi me nga 1 vit e gjysmë burg Florin Besimin dhe Artan Etemin për rastin e djegies së spitalit Modular në Tetovë. Akuza që rëndon mbi ta është vepër e rëndë kundër sigurisë publike, për mosvendosjen e aparateve kundërzjarrit. Përveç dy drejtorëve të spitalit, fajtor u shpall edhe vet Spitali Klinik i Tetovës si person juridik, duke u dënuar me një milion denarë.

Gjatë leximit të aktgjykimit, gjykatësi Rexhep Musa, theksoi se për veprën në fjalë parashihet dënim prej 1 deri në 5 vite burg, por sqaroi se janë marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese për të akuzuarit.

Ish-drejtori i Spitalit të Tetovës Florin Besimi tha se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi në shkallët e tjera gjyqësore, sepse sipas tij, ky gjykim u kthye në një gjykim faji ndaj atyre që nuk kanë pas as fuqinë e as përgjegjësinë për këtë tragjedi.

“Mua më akuzuan për mungesë të aparateve kundër zjarrit, e në fakt unë në thelb isha edhe kundër objektit dhe kam refuzuar ta pranoj objektin, ja dokumenti që nuk jam i nënshkruar. Këtë e di edhe prokuroria dhe të gjithë, edhe nëpër mbledhje e kam cekur edhe ekziston dokumenti por nuk u mor parasysh. Edhe pse dëshmitarët e vërtetuan se ka pasur aparate. Kjo nuk është drejtësi kjo është shmangie nga e vërteta. Unë nuk kërkoj mëshirë por drejtësi për viktimat dhe veten. Kërkoj të zbulohet e vërteta”, theksoi Florin Besimi, i akuzuari i parë.

“Vlerësojmë se ky vendim është pasojë e konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të Ligjit për procedurë penale dhe Kodit penal. Kundër këtij vendimi ne në kohë do të bëjmë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe presim që e njëjta të nxjerr vendim meritor”, shtoi Valon Abdylhamiti, avokat i Spitalit Klinik të Tetovës.

Ish-drejtori Besimi duke folur para mediave po ashtu tha se familjarët e viktimave nuk meritojnë një shpjegim sipërfaqësor dhe shpallje të fajtorit të rremë, por kërkojnë të dinë të vërtetën, të vërtetë për të cilën Besimi tha se do të vazhdojë të flet dhe nuk do të ndalet.

E familjarët e viktimave u shprehën të zhgënjyer nga vendimi i gjykatësit.

“Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me këtë vendim që e mori gjykata, sepse po ta pjesëtosh 14 viktima pra një vit e gjashtë muaj i bie për secilën viktimë nga një muaj burg të bëj. Pra vlera e një në vendin tonë ka vlerë një muaj burg. Kështu që ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me vendimin”, tha Mumin Ismaili, familjar.

“Nga ky vendim i gjykatës sot ndjehem i turpëruar të dal nga gjykata. Për 14 persona që vdesin dënohen një vit e gjashtë muaj, nuk bëhet ky shtet kurrë”, pohoi Ebin Emshi, familjar.

Familjarët kërkojnë që në këtë lëndë duhej të ishin përfshirë edhe ish-ministri i shëndetësisë në kohën kur ka ndodhur tragjedia, kompania që ka ndërtuar modularët si dhe instaluesi i rrymës.

Ky gjykim po vjen pas atij që përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish-drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish-drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës. Në Maj 2024 Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi ta kthejë procedurën nga fillimi ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë u pa si i paqartë, por e konfirmoi aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski. Kështu në rigjykim u kthye një pjesë e lëndës kundër dy ish-drejtorëve.