Shefi i Pentagonit kërcënon Iranin: Ju e dini se çfarë është në gjendje të bëjë Amerika, do të paguani
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me pasoja për mbështetjen e Houthi, një grup që kontrollon Jemenin verior dhe sulmon anijet në Detin e Kuq në solidaritet me palestinezët.
Paralajmërimi i Hegseth vjen pasi SHBA ka rifilluar bisedimet me Iranin mbi programin e tij bërthamor.
Bëhet e ditur se negociatorët amerikanë dhe iranianë do të takohen sërish në Romë të shtunën.
“Mesazhi për Iranin: Ne e shohim mbështetjen tuaj për Houthi. Ne e dimë saktësisht se çfarë po bëni”, shkroi Hegseth në X.
“Ju e dini mirë se çfarë është në gjendje të bëjë ushtria amerikane – dhe ju jeni paralajmëruar. Ju do të paguani”, vazhdoi ai.
Hegseth më vonë, në llogarinë e tij personale në X, ripostoi mesazhin e Donald Trump në Truth Social nga marsi, në të cilin presidenti i SHBA-së thonte se do ta mbante Iranin përgjegjës për çdo sulm të kryer nga Houthis.
Ndryshe, udhëheqësi iranian më parë deklaroi se Houthi po veprojnë në mënyrë të pavarur.
SHBA ka kryer sulme në më shumë se 1000 objektiva që kur i shtuan sulmet kundër grupit në mars.
Ushtria amerikane ka rritur burimet e saj në javët e fundit për të forcuar Lindjen e Mesme.
Pentagoni ka vendosur gjithashtu gjashtë bombardues B-2 në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian, i cili sipas ekspertëve është një pozicion ideal për operacionet në Lindjen e Mesme.
Përveç kësaj, SHBA aktualisht ka dy aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme dhe ka zhvendosur sistemet e mbrojtjes ajrore nga Azia në rajon.