Seanca parlamentare shtyhet për një orë, E Majta kërkon përgjigje për shpenzimet e rrugës dhe qiranë e deputetëve
Seanca parlamentare shtyhet për një orë, E Majta kërkon përgjigje për shpenzimet e rrugës dhe qiranë e deputetëve
Me kërkesë të grupit parlamentar të partisë E “Majta” është shtyrë për një orë vazhdimi i sotëm i seancës parlamentare të 49-të. Deputeti i së Majtës, Sashko Jançev, ka kërkuar një orë pauzë pasi siç tha, ende nuk kanë marrë përgjigje për kërkesën e parashtruar nga deputetja Jovana Mojsoska në muajin janar ku kërkohet të paguajnë shpenzimet e udhëtimit dhe qiranë për vitin 2024 për të gjithë deputetët.
“Baza procedurale është në nenin 62, paragrafi 1, alineja 10 e Rregullores së Punës në përputhje me Ligjin për deputetët, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, shërbimet e Kuvendit dhe Sekretarit të përgjithshëm nuk mund të injorojmë kërkesat e deputetëve. Shërbimet e Kuvendit dhe Sekretari i përgjithshëm që nga janari kanë injoruar kërkesën e deputetes Mojsoska që kërkon pagesën e shpenzimeve të udhëtimit dhe qirasë për vitin 2024 për deputetët me emër. Shihet qartë se nuk kuptohet serioziteti i kësaj, se kjo nuk e dëmton Mojsoskën, nuk më dëmton mua, nuk e dëmton të Majtën, por me këtë shkatërrohet mekanizëmi i vendosur ligjërisht i cili është krijuar për t’i mundësuar një deputeti të kryejë funksionin e tij parlamentar. Shërbimet dhe Sekretari i përgjithshëm kanë detyrim ligjor për t’iu përgjigjur kërkesave parlamentare dhe në këtë mënyrë u mundësojnë kryerjen e funksionit të tyre parlamentar. Çfarë po bëhet për këtë injorim të kërkesës parlamentare? Hapet një derë, hapet një hapësirë në të ardhmen që asnjë deputet i opozitës të mos i përgjigjet një kërkese parlamentare dhe të sabotojë në këtë mënyrë kryerjen e funksionit të tij parlamentar. Kjo është e keqe edhe për qeverinë, sepse sot je qeveri ndërsa nesër opozitë dhe me këtë po shkatërrohet e mira publike për interesa partiake”, theksoi Jançev.
Siç paralajmëroi Jançev, përderisa nuk është përgjigjur deputetja Mojsoska, në çdo seancë do të kërkojnë pauzë.
“Në përputhje me nenin 67 kërkoj që sekretari i Përgjithshëm dhe shërbimet e Kuvendit të udhëzohen që të kryejnë detyrimet procedurale dhe ligjore dhe t’i përgjigjen kërkesës fillestare dhe të kërkojnë pauzë për një orë. Paralajmëroi se në çdo seancë do të kërkojnë një orë pauzë derisa të marrin përgjigje për kërkesën e tyre”, tha Jançev.
Gashi iu përgjigj Jançevit, duke thënë se deputeti ka marrë përgjigje brenda afatit ligjor, por më pas ka kërkuar informacion më të detajuar, për të cilin siç tha kryeparlamentari, “do t’u jepet informacioni i kërkuar pasi të përgatitet”.
“Do të merrni një orë pauzë, por vetëm t’ju them se unë si kryetar dhe sekretarja e përgjithshme jemi njoftuar dhe punojmë për rastin. E dini që në afat ligjor keni marrë përgjigje. Ju po kërkoni informacion më të detajuar. Informacioni është duke u përgatitur dhe do të njoftoheni. Nuk ka asnjë problem. Askush nuk ikën nga asgjë dhe as nuk frikësohet dhe as nuk fshihet. Do t’i merrni ato. Nuk e kuptoj pse kërkoni pauzë, kur duam të punojmë. Por, unë e respektoj kërkesën tuaj dhe do t’ju japim një orë pauzë”, tha Gashi.