Rruga e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë, Rama: Mandatin e katërt bëjmë hyrje të bukur për në Tiranë
Rruga e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë, Rama: Mandatin e katërt bëjmë hyrje të bukur për në Tiranë
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste inspektoi sot rrugën e sapopërfunduar Maqellarë – Peshkopi, e cila e çon Rrugën e Arbrit deri në qendër të qytetit dhe e mbyll me sukses këtë vepër.
I shoqëruar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Rama pa nga afër këtë segment rrugor i cili është kompletuar edhe me sinjalistikën e nevojshme.
“Rruga e Arbrit pa këtë segment do të na linte në shpinë romuzet e bulevardit të Peshkopisë, i cili meqë ra fjala, po qendiset bukur edhe ai tani që flasim”, tha Rama.
“Kam këtë mesazh për Dibrën, për dibranët e Peshkopisë se aty është sofra hidh e prit. Fiksim ishte, e prumë Rrugën e Arbrit deri në qendër të Peshkopisë se nuk duroja dot më, u krye deri në qendër të Peshkopisë ta gëzoni”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri siguroi se mandatin e katërt do të bëhet edhe një hyrje e madhe e bukur e Rrugës së Arbrit me Tiranën.
“Kemi edhe pjesën e Tiranës se nuk është hyrje tamam për dibranët ajo, me dalë nga Tufina me u fut te rruga e Arbrit. Do të bëjmë një hyrje të madhe të bukur në mandatin e katërt”, tha Rama.
Balluku theksoi se pjesa e fundit të Rrugës së Arbrit sot është hapur sot dhe tashmë e gjithë gjurma nga Maqellara në Peshkopi është e aksesueshme nga të gjithë.
Po ashtu, Balluku theksoi se një vepër tjetër është drejt përfundimit, rehabilitimi i bulevardit të Peshkopisë.