QEVERISJA LOKALE NËPËRMJET LOJËS: FINALJA E “ELECTIONVILLE” BASHKOI TË RINJTË NGA GJASHTË QYTETE NË SHKUP

Dje, në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u zhvillua finalja e madhe e
“Electionville” – një lojë edukative dhe interaktive që simulon procesin e qeverisjes lokale dhe marrjes së
vendimeve.
Ngjarja u organizua në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Suedisë, Delegacionit të Bashkimit
Evropian, rrjetit të Europe House dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe ky event
përfaqësoi përmbylljen e programit njëmujor kushtuar edukimit qytetar dhe aktivizmit rinor.
“Electionville” është një lojë simuluese edukative që shpjegon funksionimin e qeverisjes lokale përmes
procesit të vendimmarrjes, ndarjes së buxhetit dhe përcaktimit të politikave publike. Loja zhvillohet mbi
një platformë të madhe në dysheme, ku pjesëmarrësit – nxënës të arsimit të mesëm – vendosen në rolin
e përfaqësuesve të zgjedhur në këshillin e një qyteti fiktiv të quajtur “Electionville”. Përmes kësaj loje
interaktive, të rinjtë fitojnë përvojë praktike nga proceset reale demokratike, siç janë vendimmarrja
kolektive, negociatat, debati publik dhe marrja e përgjegjësive. Në kuadër të programit, aktivitetet u
zhvilluan në gjashtë qytete të vendit – Manastir, Strugë, Tetovë, Veles, Kriva Pallankë dhe Strumicë – ku
morën pjesë rreth 100 nxënës, të ndarë në 24 ekipe. Ekipet fituese nga çdo qytet u ftuan të
përfaqësojnë qytetin e tyre në finalen e madhe në Shkup, e cila u mbajt pikërisht në hapësirat e
Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – institucioni ky ku edhe në jetën reale edhe merren
vendimet publike më të rëndësishme. Gjatë finales, gjashtë ekipet finaliste kishin për detyrë të vendosin
për prioritetet dhe të propozojnë zgjidhje për sfidat me të cilat përballej “qyteti” i tyre, ndërsa në fund,
fitues i “Electionville” 2025 u shpall ekipi nga Strumica.
Pas përfundimit të lojës, u mbajt një ceremoni zyrtare ku morën fjalën përfaqësues të lartë të
institucioneve dhe trupit diplomatik. Ambasadorja e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, znj. Ami Larsson
Jain, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Michalis Rokas, dhe znj. Dafina Stojanoska,
kryetare e Grupit Parlamentar të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me
Parlamentin e Mbretërisë së Suedisë, u drejtuan me mesazhe frymëzuese drejtuar nxënësve të
pranishëm, duke theksuar rëndësinë e edukimit qytetar, pjesëmarrjes aktive dhe përgjegjësisë në
proceset demokratike.
Në fjalën e saj, znj. Stojanoska theksoi: “Mesazhi im për ju është të mësoni dhe të dini si të luftoni për
një të ardhme më të mirë për veten tuaj. Dija është arma juaj më e fortë që askush nuk mund t’ua
marrë. Demokracia është të flasësh me zë të lartë, të dëgjosh me kujdes dhe të merrni vendime së
bashku për një të nesërme më të mirë për të gjithë. Kur të zgjidhni profesionin tuaj dhe të filloni të
punoni, jini profesionistë dhe respektoni ligjet.” Z. Rokas theksoi rolin aktiv të të rinjve në shoqëri, duke
thënë: “Të jesh qytetar nuk do të thotë vetëm të votosh një herë në disa vite. Do të thotë të jesh i
informuar, të përfshihesh në komunitet dhe të mbash udhëheqësit përgjegjës. Kjo ndoshta për ju ishte
vetëm një lojë, por mesazhet dhe mësimet që morët prej saj janë reale.” Në fjalimin e saj, ambasadorja

Larsson Jain tha: “Këto ekipe të rinjsh të përkushtuar dhe mbresëlënës sot patën mundësinë të
praktikojnë artin e dialogut, kompromisit dhe bashkëpunimit përmes lojës – gjë që nuk është gjithmonë
e lehtë. Por siç thuhet: nëse do të ecësh shpejt – ec vetëm; nëse do të shkosh larg – ec me të tjerët. Për
të krijuar zgjidhje të qëndrueshme për sfidat e përbashkëta, duhet të ecim së bashku. Këto vlera janë
themelore për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Shpresoj që kjo përvojë, së
bashku me njohuritë dhe kuptimin që fituat për demokracinë lokale, do t’ju ndihmojë juve të rinjve – si
votues të ardhshëm. Sinqerisht shpresoj që do të vazhdoni të angazhoheni rreth çështjeve që janë të
rëndësishme për ju dhe të bëheni ambasadorë të komuniteteve tuaja, duke frymëzuar të tjerët që t’ju
bashkohen në krijimin e ndryshimeve pozitive.”
Ngjarja u përmbyll me një ceremoni për ndarjen e certifikatave dhe një koktej joformal, ku nxënësit dhe
të ftuarit patën mundësinë të ndajnë ide, përvoja dhe të krijojnë lidhje të reja.
Përmes kësaj iniciative, Delegacioni i Bashkimit Evropian, rrjeti Europe House dhe Ambasada e Suedisë
edhe një herë konfirmuan angazhimin e tyre për të inkurajuar të rinjtë të marrin pjesë, të edukohen dhe
të jenë qytetarë aktivë. Demokracia nuk është vetëm një e drejtë – ajo është edhe përgjegjësi. E
pikërisht nga të rinjtë nis çdo ndryshim i vërtetë.

QEVERISJA LOKALE NËPËRMJET LOJËS: FINALJA E “ELECTIONVILLE” BASHKOI TË RINJTË NGA GJASHTË QYTETE NË SHKUP