PSG në finale të Champions League, por festimet në Paris shoqërohen me kaos dhe një aksident të rëndë
Paris Saint-Germain është rikthyer në finalen e Champions League pas pesë vitesh dhe ka mundësinë të kërkojë për herë të parë në histori trofeun më të rëndësishëm evropian. Megjithatë, festimet në kryeqytetin francez janë errësuar nga një ngjarje e rëndë që ka tronditur atmosferën festive.
Menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit Felix Zwayer, mijëra tifozë parizienë u mblodhën në rrugët kryesore të qytetit, përfshirë zonën rreth ‘Parc des Princes’ dhe Champs Elysée, për të festuar suksesin historik. Por, sipas raportimeve të mediave franceze, një makinë është përplasur me turmën e tifozëve, duke shkaktuar disa të plagosur, një prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë makinën që shpërthen në flakë pas përplasjes. Sipas të dhënave nga policia, automjeti iu vu flaka nga persona të tjerë pas incidentit dhe më pas u gjet i djegur jo shumë larg vendngjarjes. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.
Për të siguruar rendin gjatë natës, autoritetet kishin mobilizuar rreth 2,000 forca policore në të gjithë Parisin. Megjithatë, nuk u arrit të shmangeshin trazirat: sipas raportimeve zyrtare, janë kryer të paktën 43 arrestime.
Ndërsa PSG përgatitet për finalen ndaj Interit në fund të majit, festa e tifozëve të saj në Paris u kthye pjesërisht në një natë kaosi dhe shqetësimi.