Prishtinë: Gjenden mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar sot se pas dy ditëve intensive të operacioneve të gërmimit dhe zhvarrimit në një zonë të Prishtinës, ekipet mjekoligjore kanë lokalizuar mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Haxhiu ka thënë se në operacionin e ndjeshëm morën pjesë Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX), me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.

Sipas ministres Haxhiu, mbetjet mortore janë transferuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme forenzike, përfshirë analizat e ADN-së, që do të mundësojnë identifikimin e saktë të viktimave.

Ajo theksoi se ky rezultat nuk do të ishte i mundur pa një bashkëpunim të ngushtë dhe të qëndrueshëm mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Ky është një hap domethënës në procesin e kërkimit të së vërtetës dhe drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Përkushtimi ynë për të mos ndalur kërkimet vazhdon dhe nuk do të ndalet derisa çdo person i zhdukur të identifikohet”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si një partner kyç në koordinimin e të dhënave dhe analizave që kanë ndihmuar në lokalizimin e vendndodhjeve të mundshme të varrezave masive.

Operacionet e kërkimit do të vazhdojnë edhe në javët në vijim në lokacione të tjera të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve kombëtare dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur nga periudha e luftës së viteve 1998–1999.