Përfundojnë negociatat Ukrainë-Rusi në Stamboll

Bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, kanë përfunduar, raporton Reuters, përcjell Reporteri.net.

Bisedimet që zgjatën më pak se dy orë përfunduan pa ndonjë shenjë të dukshme përparimi në ngushtimin e dallimeve mes palëve. Një burim ukrainas i quajti kërkesat e Moskës “të papranueshme”.

Delegacionet nga të dyja palët ndërluftuese u takuan të premten në Turqi, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga marsi i vitit 2022, një muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë. Sipas një burimi ukrainas për Reuters, dallimet midis palëve ishin menjëherë të qarta, duke thënë se kërkesat e Rusisë ishin “të shkëputura nga realiteti dhe shkonin shumë përtej gjithçkaje që ishte diskutuar më parë”.

Ato përfshinin “kushte të papranueshme dhe jo konstruktive”, tha burimi anonim për Reuters.

Nuk pati asnjë deklaratë të menjëhershme nga pala ruse.

Shpresat për një përparim të madh, që ishin të ulëta edhe më parë, u zbehën edhe më shumë të enjten kur Donald Trump, duke përfunduar një turne në Lindjen e Mesme, tha se nuk do të ketë lëvizje përpara pa një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin.