Presidenti rus Vladimir Putin ka ftuar të gjithë udhëheqësit dhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe në samitin e parë ruso-arab më 15 tetor, raportuan sot agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar një deklaratë të Kremlinit.
“Jam i bindur se ky takim do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shumëplanësh midis vendeve tona dhe do të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për të siguruar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut”, tha Putin në deklaratë, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Lidhja Arabe, një organizatë rajonale e shteteve arabe në Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës, ka 22 vende anëtare që janë zotuar, ndër të tjera, të bashkëpunojnë për çështjet politike, ekonomike dhe ushtarake në rajon.
Raportimi vjen pas turneut katër-ditor të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në rajonin e Gjirit këtë javë, gjatë të cilit Uashingtoni njoftoi se kishte siguruar disa marrëveshje, duke përfshirë një angazhim prej 600 miliardë dollarësh nga Arabia Saudite për investime në SHBA, një shitje armësh me vlerë gati 142 miliardë dollarë për mbretërinë dhe një partneritet në inteligjencën artificiale me Emiratet e Bashkuara Arabe.