Kombet e Bashkuara kanë marrë leje nga Izraeli për futjen edhe të rreth 100 kamionëve me ndihma në Gaza të martën, tha një zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së.
“Ne kemi kërkuar dhe kemi marrë miratim për hyrjen e më shumë kamionëve sot, shumë më shumë sesa u lejuan dje” – tha Jens Laerke, zëdhënës i zyrës humanitare të OKB-së, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Pas një bllokade 11-javore, Izraeli lejoi nëntë kamionë me ndihma të hënën që të hynin në Gaza përmes pikëkalimit kufitar “Kerem Shalom”, edhe pse Laerke tha se vetëm pesë prej tyre hynë në enklavë.
Rritja e numrit të kamionëve me ndihma që lejohen të hyjnë në Gaza erdhi pas paralajmërimit të Francës, Britanisë dhe Kanadasë se do të kundërpërgjigjen ndaj Izraelit, nëse ky shtet nuk e ndal ofensivën ushtarake dhe nëse nuk i heq kufizimet ndaj ndihmave humanitare.
“Hapi i radhës është që të mblidhen ata dhe pastaj do të shpërndahen sipas sistemit ekzistues, me atë që e ka dëshmuar veten” – tha zëdhënësi i OKB-së, duke shtuar se kamionët e rinj janë të ngarkuar me ushqim për foshnja dhe produkte të tjera ushqyese për fëmijë.
Shkalla e kequshqyerjes në Gaza është rritur gjatë bllokadës izraelite dhe mund të përkeqësohet në mënyrë eksponenciale, nëse mungesa e ushqimit vazhdon, tha një zyrtar shëndetësor i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në të njëjtën konferencë shtypi.
“Unë i kam të dhënat deri në fund të prillit dhe ato tregojnë kequshqyerje në rritje” – tha Akihiro Seita, drejtor i shëndetësisë në agjencisë UNRËA.
“Pastaj, brenga është se, nëse mungesa e tanishme e ushqimit vazhdon, ajo do të shtohet në mënyrë eksponenciale, pastaj do të dalë jashtë kontrollit tonë” – paralajmëroi ai./Nacionale