Këshilli Bashkiak i Durrësit është përfshirë nga debate të forta në mbledhjen e fundit të mbajtur të mërkurën më 30 prill. Mësohet se shkak i debati ka qenë votimi për resortin Lura 5 të biznesmenit, Dod Doçi në Gjirin e Lalzit.
Këshilli Bashkiak i Durrësit ishte mbledhur për të votuar ndryshimin e kategorisë për një sipërfaqe pyjore prej 8 mijë metrash katrorë, e cila do të rrafshohet në funksion të ndërtimit të resortit.Partia Demokratike është shprehur kundër projektit teksa tre këshilltarët e saj kundërshtuan betonizimin e mëtejshëm të bregdetit. Edhe pse të tre këshilltarët e PD-së votuan kundër partia e Lirisë bashkoi votat me Partinë Socialiste miratuan ndërtimin e resortit me 31 vota pro.
Kush është Dod Doçi?
Dod Doçi është një nga ndërtuesit më të mëdhenj në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Deri më tani ai ka ndërtuar 5 komplekse turistike në këtë zonë, të pagëzuar me emrin Lura, duke i hequr kështu zonës një sipërfaqe të madhe gjelbërimi.
I fundit kompleks në radhë, ai i cili përçau dhe koalicionin opozitar, quhet “Lura 5”. Ndërtimi i resortit turistik “Lura 5” ka marrë më parë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).