Pakistani gati për luftë me Indinë, urdhëron banorët e Kashmirit të mbledhin ushqime

Kashmiri, i administruar nga Pakistani, u bëri thirrje banorëve afër kufirit de facto me pjesën indiane të rajonit që të grumbullojnë ushqime, teksa tensionet mes dy rivalëve janë rritur pas një sulmi vdekjeprurës muajin e kaluar.

India fajëson Pakistanin për sulmin nga një sulmues i armatosur ndaj civilëve dhe turistëve në pjesën e Kashmirit, që administrohet nga India, më 22 prill, që la të vrarë 26 persona. Islamabadi mohon këto akuza.

Dy shtetet, që kanë armë bërthamore, kanë këmbyer zjarr për tetë net rresht përgjatë vijës së kontrollit, kufirit de facto, sipas ushtrisë indiane dhe dy fqinjët kanë ndërmarrë masa diplomatike ndaj njëri-tjetrit.

“Janë lëshuar instruksione për të grumbulluar furnizime ushqimore për dy muaj në 13 zona përgjatë vijës së kontrollit”, tha kryeministri i pjesës së Kashmirit që administrohet nga Pakistani, Chaudhry Anwar ul Haq, më 2 maj.

Qeveria rajonale po ashtu ka krijuar një fond të emergjencës prej 3.5 milionë dollarësh për të siguruar furnizim “me ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera elementare” për 13 zonat, tha ai.

Sulmi në Kashmirin indian dhe tensionet që pasuan, përfshirë shpërthime dhe mbyllje të kalimeve kufitare, kanë rritur frikën për një përshkallëzim më të madh mes Pakistanit dhe Indisë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, të martën i dha “liri të plotë operacionale” ushtrisë sa i përket përgjigjes ndaj sulmit.