Pakistani e ka nisur një operacion ushtarak kundër Indisë

Pakistani e ka nisur një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi atë për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e së premtes.

Kjo lëvizje shënon përshkallëzim tjetër të madh të tensioneve mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore. Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, thirri një mbledhje urgjente të Autoritetit të Komandës Kombëtare.

Ky autoritet, ndër të tjera, merret me çështjen e armëve bërthamore. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir, dhe i bëri thirrje të dyja palëve që të gjejnë mënyra për ta shtensionuar situatën.

Rubio gjithashtu ofroi ndihmën e SHBA-së për të nisur bisedime konstruktive në mënyrë që të shmangen konfliktet e ardhshme, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit. Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.