Në letrën e tyre, veteranët shprehin zhgënjimin se gjykata që fillimisht ishte menduar të sillte drejtësi, është shndërruar në një mjet politik për ndëshkim dhe heshtje të atyre që, sipas tyre, e sollën paqen dhe e mbrojtën lirinë.
“Presidenti Trump, administrata e tij dhe ju personalisht e kuptuat atë që bota e kishte harruar: liria nuk dhurohet. Liria fitohet. Dhe mbi të gjitha, liria mbrohet”, thuhet në letrën e veteranëve.
Ata kujtojnë sakrificën e UÇK-së në luftën kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe përkushtimin e tyre pas luftës për ndërtimin e një Kosove demokratike, duke shtuar se e kanë përqafuar drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin e Hagës, por sipas tyre, “Dhomat e Specializuara nuk janë drejtësi, janë një gjueti shtrigash”.
“Kur drejtësia uzurpohet nga elitat politike, ajo kthehet në mjet për të heshtur patriotët. Kjo gjykatë është bërë pikërisht kjo – një vegël për të heshtur ata që sollën paqen, që ndalën gjenocidin, që mbrojtën lirinë”.
OVL-UÇK aludon se ngritja e aktakuzave nga një prokuror i korruptuar kishte qëllim të sabotonte iniciativën për paqe të Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë. Ata kërkojnë mbylljen e kësaj gjykate dhe një hetim të pavarur rreth funksionimit dhe shpenzimeve të saj.
“Taksa-paguesit amerikanë nuk kanë investuar në një gjykatë që shkel vlerat e drejtësisë dhe lirisë për të cilat vetë Amerika qëndron. Kjo është një turp për drejtësinë amerikane”, thuhet më tej në letër.
Me tone emocionale, letra mbyllet me një thirrje të fuqishme: “Nëse liria ka ende kuptim, nëse drejtësia nuk është thjesht një fjalë, por një parim – kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Ne luftuam kundër Millosheviqit për ta ndalur këtë lloj abuzimi. Dhe do të flasim sërish. Kjo nuk është thjesht një thirrje për ndihmë, por një thirrje për të mbrojtur lirinë, sërish”.