Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po përfaqëson Kosovën në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Tiranë.
Osmani para nisjes së këtij Samiti, në një deklaratë për media tha se ka një bllokadë totale nga ana e Bashkimit Evropian dhe nuk po vlerësohet puna.
“Ka një bllokadë totale nga ana e BE-së, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohen reformat e ndërmarra, nuk vlerësohet fakti që ne jemi 100% me politikat e tyre sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe politikave të tjera. Për fat të keq po jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë. Më shumë po iu hapet në raport me ata që shkojnë në Moskë te Putini sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër veç BE-së”, u shpreh Osmani.
E para e shtetit deklaroi tutje se ma me rëndësi se bisedimet me Serbinë janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian para dy viteve dhe për fat të keq akoma ky aplikacion nuk është shqyrtuar nga ana e Bashkimit Evropian për shkak të komplikimeve të panevojshme politike që po krijohen nga disa shtete anëtare”, tha ajo.
Sipas presidentes Osmani, meqenëse po mbahet samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që i jepen shteteve aspiruese për anëtarësim të ketë veprime konkrete.
“Meqenëse ky samit mbahet në Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi që të ketë rezultate konkrete në veçanti për shtetet si Kosova që është 100 për qind në linjë të plotë me vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë”, tha presidentja, raporton Telegrafi.
Sipas së parës së shtetit, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, më parë duhet të flitet për heqjen e masave nga ana e Bashkimit Evropian.
“Kam kërkuar heqjen e masave nga ana e BE-së sepse kjo e dëmton vetë kredibilitetin e BE-së dhe kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës dhe do të kërkoj edhe sot sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut, por Kosova është gjithnjë e gatshme dhe konstruktive…”, tha ajo.