“Një telefonatë që përjashtoi Melonin”, tension mes Italisë dhe Francës pas Samitit në Tiranë

Një përplasje diplomatike ka ndodhur mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentit francez Emmanuel Macron pas një incidenti në Samitin e Komunitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë, ku një telefonatë e përbashkët me Donald Trump-in nxiti polemika dhe akuza për përjashtim të qëllimshëm.

Sipas The Telegraph, Meloni nuk u ftua të merrte pjesë në një bisedë telefonike të zhvilluar në kuadër të samitit, ku ishin të pranishëm Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti polak Donald Tusk dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

Kjo telefonatë, që sipas burimeve kishte në fokus diskutimin për një armëpushim në Ukrainë, ndezi reagimin e Melonit, e cila e quajti përjashtimin e saj si pasojë të qëndrimit të Italisë për të mos dërguar trupa në Ukrainë.

“Uniteti perëndimor ka qenë forca jonë më e madhe që nga fillimi i pushtimit rus. Në një moment kaq delikat, është e rëndësishme të lëmë mënjanë çdo dallim personal që mund ta minojë atë unitet”, u shpreh Meloni për gazetarët.

Nga ana tjetër, Macron reagoi menjëherë duke hedhur poshtë pretendimet e Melonit dhe e akuzoi atë për përhapje dezinformatash:“Diskutimi ishte për një armëpushim, të mos përhapim informacione të rreme. Ka mjaftueshëm nga ato që vijnë nga Rusia”, tha ai sipas The Telegraph.

Incidenti ndodhi në një moment të ndjeshëm për diplomacinë europiane, ndërsa Meloni është përballur me kritika të brendshme në Itali, ku opozita e akuzon se po anashkalohet në proceset kyçe të vendimmarrjes ndërkombëtare.

“Nuk duhet të lejojmë që të përçahemi”, deklaroi Merz pas takimit, duke shtuar: “Do të zhvilloj bisedime në BE gjatë ditëve në vijim dhe do të përfshij Italinë në të gjitha përpjekjet tona për të zgjidhur këtë konflikt.”

Mediat italiane raportuan se mungesa e Melonit në telefonatën e Tiranës nuk ishte rastësi, por një përjashtim i qëllimshëm, i nxitur nga Macron.