Një person futet në oborrin e çerdhes “Vesëza” në Çair dhe vjedh bredhat e mbjella

“Ekipi i Televizionit Alsat gjendet në oborrin e kopshtit të fëmijëve “Vesëza” në Komunën e Çairit. Kësaj radhe nuk jemi këtu për të parë se çfarë po bëjnë fëmijët dhe aktivitetet e tyre por të sqaruar para opinionit se pikërisht në këtë objekt, më konkretisht në oborrin e këtij kopshti janë vjedhur bredhat. Kjo lë për tu habitur sepse ky institucion vërtet është për të mirën e fëmijëve ndërkohë që dikush e sheh si të arsyeshme për t’i bërë dëm këtij kopshti”.

Gjithë këtë akt të pandërgjegjshëm dhe neveritshëm nga një person deri tani i panjohur, fatmirësisht e ka regjistruar një nga banorët i cili edhe e ka informuar menjëherë drejtoreshën e çerdhes “Fidani”, Gzime Bakiu.

Bakiu tha se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21 kur një person është futur me makinë në oborrin e kopshtit “Vesëza” dhe ka shkulur bredhat e mbjella. Të njëjtat më pas i vendos në makinë dhe largohet nga objekti i çerdhes.

“Besoj se kjo është e patolerueshme pasiqë në atë kopsht mësojnë 250 fëmijë dhe si t’ju shpjegojmë ne nesër fëmijëve se çfarë ka ndodhë në oborrin e kopshtit që ato pemë të cilat i kemi mbjell bashkë me fëmijët më nuk janë”, tha Gzime Bakiu, drejtore e çerdhes “Fidani”.

Bakiu tha se objekti i çerdhes shpesh herë ka qenë shënjestër e dëmtimeve të ndryshme nga persona të papërgjegjshëm. Objekti nuk ka roje 24 orë por sipas Bakiut kjo as nuk duhet të jetë e nevojshme kur bëhet fjalë për institucion parashkollor ose shkollor.

“Unë mendoj se nuk ka nevojë. Ne të gjithë duhet të kujdesemi për ambientin, sidomos për institucionet e fëmijëve si kopshtet e shkollat. Mendoj se është e tepërt të kemi roje për një vend ku aty janë më të vegjlit tanë dhe më të mirët tanë”, u shpreh Gzime Bakiu, drejtore e çerdhes “Fidani”.

Ngjarja e padëshiruar në kopshtin “Vesëza” në Çair është paraqitur edhe në polici. Nga atje thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për të identifikuar autorin e këtij akti të turpshëm.