Nis aksioni për pastrimin e deponive të vogla jolegale në rrugët që çojnë në Malin Sharr

Komuna e Tetovës në bashkëpunim me Saubermacher, nis aksionin për pastrimin e mini deponive të krijuara në disa pika nëpër rrugët e malit Sharr. Krijimi i deponive nëpër Sharr, vitin e fundit është reduktuar tejmase, megjithatë, ky fenomen vazhdon edhe më tej të jetë prezent. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka apeluar banorët që të mos krijojnë deponi të këtilla nëpër rrugët e malit Sharr.

“Komuna po punon në mënyrë permanente për zgjidhjen e këtij problemi. Aktualisht po punojmë afër me ndërmarrjen Saubermacher që të bëj grumbullimin e rregullt dhe në kohë të mbetjeve nga zonat e malësisë, dhe në gjitha lokacionet e identifikuara si problematike dhe me potencial për tu bë deponi të egra, ne jemi në komunikim edhe me Ministrinë e Ekologjisë por edhe me ndërmarrjen e komunës që këto deponi ti pastrojmë. Patjetër që brenda këtij muaji patëm aksion me partnerin ndërkombëtar “GENERALKA” që filloi pastrimi i gjitha deponive në rajonin e Tetovës, por edhe me këtë aksion edhe në mënyrë të vazhdueshme do vazhdojmë punën për një qytet më të pastër”, tha Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.

Pikërisht shkaku i mbrojtjes së Sharrit nga krijimi i deponive jolegale dhe investimi në mirëmbajtje, detyroi Parkun Kombëtar që të vendos taksën për gjitha makinat që do ngjiten në rrugët e Sharrit.

“Për çdo makinë do duhet të paguhet 150 denarë. Insistimi në fillim ishte të paguhet për person por mbeti pagesa vetëm për makinat. Do jetë gjë e mirë sepse po mundohemi ta mbajmë më pastër edhe parkun kombëtar por edhe të iniciojmë nisma të atilla që të zhvillojmë parkun më së miri. Por meqë si drejtori jemi me vetëfinancim, ky projekt do e ndihmojë drejtorinë shumë”, tha Emir Huseini drejtor i Parkut Kombëtar “MALI SHARR”.
Numri më i madh i deponive nëpër malin Sharr, janë në fshatrat më të largëta malore, ku edhe pse nga komuna dhe Ministria e Ekologjisë janë pastruar disa herë, sërish nga disa banorë të pandërgjegjshëm, formohen të njëjtat bri rrugëve./Alsat.mk