Ngritet kallëzim penal ndaj Fërçkovskit – dyshohet për abuzim me fondet buxhetore në SHBA

Ish-drejtuesi i Misionit të Përhershëm të Maqedonisë në Kombet e Bashkuara në New York, Ljubomir Fërçkovski, së bashku me tre persona të tjerë, është i dyshuar për keqpërdorime të fondeve në detyrën e tij. Prokuroria ka ngritur një kallëzim penal ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë, për akuzat që lidhen me veprime të kundraligjshme sipas nenit 353 të Kodit Penal.

Sipas kallëzimit, Fërçkovski, në cilësinë e shërbimit të tij si Shef i Misionit të Përhershëm të Maqedonisë në OKB nga 20 prilli 2022 deri më 6 tetor 2024, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke vepruar kundër udhëzimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Ministrisë së Financave.

Në llogarinë e Misionit të Përhershëm të Maqedonisë në OKB janë depozituar 3,998,721.72 dollarë amerikanë nga shitja e një objekti të përbashkët të ish-Jugosllavisë në New York. Pjesa më e madhe e këtij fondi, 3.94 milionë dollarë, është transferuar në llogarinë e buxhetit të Maqedonisë, ndërsa mbetja prej 58,721.72 dollarë ka mbetur në llogarinë e Misionit të Maqedonisë në OKB.

Frçkovski, megjithëse kishte detyrimin për ta paguar këtë shumë në llogarinë e buxhetit të Maqedonisë, ka shpërdorur këto fonde për shpenzime jo të përshtatshme dhe ka vepruar në kundërshtim me rregullat dhe procedurat zyrtare për financat dhe materialet. Sipas kallëzimit, ai ka bërë shpenzime për udhëtime zyrtare, pagesa për telefon dhe riparime të automjeteve zyrtare pa miratimin paraprak të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke shkaktuar një dëm material prej 57,855.18 dollarë amerikanë.

Në këtë mënyrë, Fërçkovski dhe bashkëpunëtorët e tij, Katina Georgieva, Jon Ivanovski dhe Ivana Spikovska, kanë shkaktuar një dëmtim të buxhetit të shtetit në totalin e 116,576.9 dollarë amerikanë