Nga Republika në Logun e Klaneve: Një Analizë e Ngërçit Politik në Kosovë përmes Diskursit Tribal

Qani Shabani

Në vend që Repubika e Kosovës të funksionojë si një republikë moderne e ndërtuar mbi themelet e ligjit dhe institucioneve të pavarura, shteti i Kosovës gjithnjë e më shumë i ngjan një mozaiku tribal, ku politika është personalizuar, institucionet janë të kapura, dhe çdo vendimmarrje kalon përmes “besës” së liderit të klanit politik.

Ngërçi aktual institucional, me përplasjet mes Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit, nuk është pasojë e dallimeve ideologjike apo vizionesh të kundërta për të ardhmen e shtetit, por produkt i një strukture politike që funksionon mbi parime të trashëguara nga logjika e fiseve: besnikëri ndaj liderit, përjashtim i tjetrit, ruajtje e territorit të pushtetit dhe mungesë bashkëpunimi institucional.

Partitë politike nuk funksionojnë më si mekanizma demokratikë të përfaqësimit, por si fise politike ku lideri është figurë e shenjtë, e pacenueshme dhe e padiskutueshme. Deputetët nuk përfaqësojnë interesin publik, por shërbejnë si zgjatim i vullnetit të kryeklanit. Vota e tyre nuk udhëhiqet nga ndërgjegjja, por nga urdhri i hierarkisë.

Në një mjedis të tillë, institucionet shtetërore nuk janë më të përbashkëta, por kthehen në territore që duhen kontrolluar. Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe agjencitë pavarëse shihen si pronë që fitohet dhe mbahet me çdo kusht. Prandaj, përplasjet ndërinstitucionale nuk janë betejë për të zbatuar kushtetutën apo për të forcuar shtetin, por për të ruajtur pushtetin klanor mbi një segment të aparatit shtetëror.

Në këtë kontekst, qytetari është reduktuar në një spektator të një shfaqjeje të pambarimtë. Në vend që të jetë burimi i sovranitetit, ai thirret në skenë vetëm kur duhen votat, për t’u përdorur si numër, jo si zë. Politika e përditshme zhvillohet larg interesit të tij, e mbyllur në logun e një pakice elitare që nuk jep llogari.

Diskursi tribal mbijeton përmes përçarjes, dhe kjo është shndërruar në një strategji të qëllimshme për mbijetesë politike. Frika nga “tjetri”, urrejtja ndaj kundërshtarit dhe demonizimi i çdo zëri alternativ janë mjete për të ruajtur unitetin e klanit dhe për të mobilizuar ndjekësit përreth liderit. Kështu, krijohet një realitet i rremë ku përçarja paraqitet si mbrojtje, dhe mbyllja institucionale si mbijetesë kombëtare.

Ngërçi politik në Kosovë nuk është vetëm krizë funksionale. Ai është simptomë e një kulture politike që nuk ka kaluar ende nga tribalizmi në republikë. Sa kohë që pushteti do të shihet si plaçkë për t’u ndarë ndër fise politike dhe jo si shërbim ndaj qytetarëve, Kosova do të mbetet e zhytur në cikle të pafundme krizash.

Ndryshimi nuk do të vijë përmes rotacionit të fiseve në pushtet, por përmes një transformimi të thellë kulturor dhe institucional, që kërkon guxim për të kaluar nga besnikëria ndaj individit, në besnikëri ndaj shtetit dhe ligjit. Pa këtë kapërcim, shteti do të mbetet një kulisë moderne për luftëra të vjetra klanore.
Në fund të këtij diskursi, analisti Qani Shabani thekson se “në një sistem ku institucionet nuk i takojnë shtetit, por liderit të fisit, shteti nuk është më republikë, por një kulisë primitive me ngjyra moderne”.