Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu, organizata “Shqiptaria” ka nisur organizimet festive në Prishtinë, ku mysafir nderi është stërnipi i heroit, Loris Castriota Skanderbegh, i cili ka mbërritur sot nga Foggia e Italisë.
Gjatë deklaratës për mediat, Skanderbegh u shpreh se Kosova është për të si shtëpi dhe theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar.
“Gjithmonë është një moment i madh për mua të jem këtu, sepse ndihem si në shtëpi kur vij në Prishtinë, në Kosovë, në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që po festojmë ditëlindjen e Gjergj Kastriotit. Besoj se duhet gjithmonë të kujtojmë heroin tonë kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar, për t’ia treguar botës madhështinë e historisë sonë,” tha ai.
Anëtari i këshillit organizativ të “Shqiptaria”, Basri Beka, theksoi se aktiviteti qendror do të mbahet më 6 maj, me qëllim që të rritet kujtesa historike për heroin e kombit.
“Ne jemi të nderuar me praninë e stërnipit të Skënderbeut dhe më 6 maj do të organizojmë një festë madhështore, ashtu siç e meriton heroi ynë,” deklaroi ai.
Ndërkohë, bashkorganizatori Qëndrim Kryeziu njoftoi se festa do të përfshijë një spektër të gjerë aktivitetesh me pjesëmarrje të grupeve folklorike dhe fëmijëve nga të gjitha trojet shqiptare.
“Ashtu si edhe vitet e kaluara, presim një atmosferë të jashtëzakonshme. Grupa nga Tirana, Shkodra, Mirdita, Lezha, Shkupi, Struga e komunat e Kosovës janë nisur drejt Prishtinës për të qenë pjesë e kësaj feste,” tha Kryeziu.
Kjo është hera e katërt që organizata “Shqiptaria” organizon eventin kushtuar lindjes së Skënderbeut, me synim lartësimin e figurës së tij në kujtesën kolektive.
Festimet më 6 maj do të nisin në orën 12:00 me një simpozium shkencor në Institutin Albanologjik, ku do të marrin pjesë historianë nga mbarë trevat shqiptare.
Më pas do të hapet një ekspozitë arti në sheshin “Nënë Tereza”, do të zhvillohen aktivitete për fëmijë, ndërsa në mbrëmje do të mbahet koncert festiv me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Kastriot Tusha dhe yjet e rokut kosovar.
Edhe vitin e kaluar kjo ditë u shënua me madhështi në Prishtinë, me kërkesa që ajo të shpallet festë kombëtare.