Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski, me ftesë të ministrit ukrainas, Andri Sibiha dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, qëndroi për vizitë njëditore në Lavov, ku mori pjesë në takimin ministror për formimin e Tribunalit special për agresion kriminel kundër Ukrainës dhe në takimin joformal të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot kumtuan se Mucunski ishte i vetmi ministër nga Ballkani Perëndimor, i pranishëm në ngjarjet.
“Në takimet u konfirmua mbështetja për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe për iniciativën për të vendosur përgjegjësi ligjore për aktet e agresionit. Ministri Mucunski e riafirmoi mbështetjen parimore të vendit tonë, duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar nga Rusia dhe angazhim të përbashkët për arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”, theksohet në kumtesë.
Në kuadër të vizitës, ministri Mucunski, së bashku me kolegët e tij, kanë bërë homazhe për heronjtë ukrainas në varrezat “Lychakiv” në Lavov.