Mucunski e vizitoi Spitalin “Karolinska” në Stokholm, ku ishin shtruar pacientët nga Maqedonia e Veriut të lënduar në zjarrin në Koçan

Në kuadër të vizitës dyditore pune në Suedi, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot vizitoi Spitalin Universitar “Karolinska” në Stokholm, ku janë shtruar katër pacientë të lënduar në zjarrin në Koçan.

Gjatë vizitës, siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski u takua me menaxhmentin e spitalit, gjatë së cilës u prezantuan kapacitetet, burimet dhe ekspertiza e këtij institucioni të njohur shëndetësor, i cili në vitin 2025 u rendit si spitali i pestë më i mirë në botë.

Ministri shprehu mirënjohje të sinqertë për të gjithë personelin mjekësor për solidaritetin, nivelin e lartë të kujdesit dhe profesionalizmin.

“Patëm një mundësi të shkëlqyer që së pari të falënderojmë drejtorin e spitalit, mjekët dhe infermierët që punuan me pacientët tanë, por edhe ta shfrytëzojmë këtë vizitë për të fituar përvoja dhe motivim shtesë për bashkëpunim”, deklaroi ministri Mucunski.

Në kuadër të bisedimeve u ngrit edhe çështja e mundësive për vendosjen e bashkëpunimit institucional midis sistemeve shëndetësore së Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë, me theks në shkëmbimin e përvojave, ekspertizës dhe mbështetjes.

Biseduam për bashkëpunimin e mëtejshëm midis qendrave tona mjekësore dhe autoriteteve tona shëndetësore me Qendrën Mjekësore “Karolinska”, në shumë fusha konkrete. Mbetet t’i transferojmë ato kontakte dhe mundësi në institucionet në Shkup dhe, së bashku me kolegët tanë, të fillojmë ta zhvillojmë më aktivisht atë bashkëpunim në sektorin e kujdesit shëndetësor”, shtoi ministri në deklaratën e tij.