Ministria e Energjetikës: Me ligjin për energjetikë vendosen themelet e politikës së re energjetike të vendit

Ministria e Energjetikës përshëndeti sot pasdite miratimin e Ligjit për Energjetikë nga ana e Kuvendit të Maqedonisë.

Nga Ministria kompetente theksojnë se është miratuar ligji sistematik, gjtihëpërfshirës dhe reformues me të cilin vendosen themelet e politikës së re energjetike të vendit.

“Me këtë, Maqedonia më në fund merr një kuadër ligjor të qartë, modern dhe në përputhje me standardet evropiane për zhvillimin e energjetikës”, thonë nga Ministria.

Ata shtojnë se Ligji u përgatit në një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës që përfshinte institucione, ekspertë, sektorin e biznesit, operatorët, rregullatorin dhe palë të tjera të interesuara.

“Përmes 61 amendamenteve në një procedurë të rregullt legjislative, u arrit një zgjidhje që përmirëson cilësinë, saktësinë dhe zbatueshmërinë e ligjit. Ligji i ri i Energjetikës është në përputhje me axhendën e reformës për Ballkanin Perëndimor dhe direktivat evropiane dhe përmban disa shtylla kryesore: një rritje të ndjeshme të pjesës së burimeve të rinovueshme në konsumin përfundimtar, efikasitet më të madh të energjisë dhe ulje të humbjeve, një treg të hapur energjie në të cilin qytetarët bëhen aktorë aktivë – prodhues, shitës, anëtarë të komuniteteve të energjisë. Vëmendje e veçantë i kushtohet drejtësisë sociale – zgjidhjet ligjore përfshijnë mbrojtjen e kategorive të rrezikuara, mbështetjen për varfërinë energjetike dhe aksesin e drejtë në energji për të gjithë”, thonë nga Ministrisë së Energjetikës.

Ligji, sipas Ministrisë, ofron një kuadër të qëndrueshëm, transparent dhe të parashikueshëm për investitorët vendas dhe të huaj dhe forcon kapacitetet e rregullatorit dhe operatorëve, duke krijuar kushte për integrim më të madh me rrjetet rajonale dhe evropiane të energjisë.

“Energjia nuk është vetëm motori i ekonomisë, është bazë për një jetë më cilësore, me këtë ligj hapim derën për një Maqedoni sovrane energjetike, të gjelbër dhe evropiane”, thekson ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska.

Nga Ministria njoftojnë se do të vazhdohet me implementimin e ligjit me fokus të rezultateve që drejtpërdrejtë do të ndjehen nga ana e qytetarëve dhe ekonomisë.

Ligji u votua pasdite në kuadër të seancës së 48-të plenare me 62 vota “pro”.