Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha dje se Rusia nuk do të bjerë dakord për një armëpushim pa kushte me Ukrainën pavarësisht presionit nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, raportoi Agjencia Anadolu.
Duke folur para studentëve në Universitetin Ruso-Armen në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë, Lavrov theksoi se Ukrainës nuk mund t’i zihej besë sepse kishte përdorur armëpushimet e mëparshme për të forcuar dhe armatosur forcat e saj, gjë që i lejoi asaj të vazhdonte sulmet ndaj Rusisë.
“E kemi përjetuar këtë më parë dhe nuk duam të ndodhë përsëri.”
“Tani po na thonë: ‘Le të shpallim një armëpushim dhe pastaj do ta shohim’.”
Ne i përgjigjemi: “Jo, e kemi përjetuar këtë më parë dhe nuk duam të ndodhë përsëri”, tha ai. Lavrov akuzoi Bashkimin Evropian për nxitjen e mëtejshme të konfliktit duke vazhduar të dërgojë armë në Ukrainë dhe kritikoi Macronin dhe Starmerin për mbështetjen e tyre për Kievin në situatën aktuale.
Nga ana tjetër, tha ai, si Rusia ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur krijimin e kushteve të qarta për një zgjidhje afatgjatë të konfliktit në Ukrainë.