Meteorologët paralajmërojnë mot me shi deri mesjavën e ardhshme

Pas disa ditësh me diell dhe temperatura të larta moti ka marrë një kthesë të papritur, nga ku që prej ditës së sotme dhe në ditët në vijim, vendi do të përfshihet nga reshje shiu dhe ulje temperaturash, duke sjellë një panoramë tipike pranverore me luhatje të ndjeshme atmosferike. Drjtoria për çështje hidrometeorologjike ka njoftuar se gjatë ditës së sotme moti do të jetë pjesërisht me vranësira dhe jostabil me reshje shiu të herëpashershme, të ndjekura nga nxehtësia dhe erërat e forta. Ata madje theksuan se do të ketë reshje të dendura shiu drejt fundit të ditës dhe gjatë natës, veçanërisht në pjesët lindore dhe jugore, nga ku temperatura minimale do të jetë në intervalin 8 deri në 15 gradë celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë në 18 deri në 25 gradë celsius.

Ndërkaq sipas raporteve te tyre, edhe në rajonin e Shkupit do të mbajë mot jostabil, nga ku madje në disa pjesë të luginës potencuan se do të ketë kushte për stuhi afatshkurtëra.

Drejtoria për çështje hidrometeorologjike

“Në rajonin e Shkupit do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe jostabile me reshje shiu të herëpashershme, të shoqëruara me bubullima dhe erëra të forta veriore. Në disa pjesë të luginës, do të ketë kushte për stuhi afatshkurtra. Temperatura minimale do të bjerë në 13 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë në 21 gradë celsius”.

Në ndërkohë,potencohet se po e njëjta klimë e shoqëron edhe të dielën nga ku do të kemi mot të ndryshueshëm me vranësira dhe më të freskët me reshje shiu të herëpashershme, të ndjekura nga bubullima të rralla. Reshjet do të jenë më të bollshme në pjesët lindore, ku do të arrijnë mbi 30 litra për metër katror. Ndërkaq sa i përket javës që vjen edhe të hënën në mëngjes do të ketë reshje lokale shiu, dhe njëkohësisht erë e fortë veriore e cila do të na shoqërojë deri të mërkurën.