Merko dhe Qoku në Gjykatë për statusin në Facebook

Në Gjykatën Themelore të Strugës u mbajt seanca përmbyllëse e procesit gjyqësor në të cilin kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka paditur Bekim Qokun për shpifje. Padia lidhet me një postim publik, në të cilin Qoku e ka akuzuar Merkon për korrupsion.

“Pohimi im në Facebook thjesht ishte një nga deklarimet që vijnë si rezultat i akuzave të cilat vijnë nga të gjitha anët. Kjo që ka pësuar dhimbje shpirtërore që pohon ky dhe që ka vizituar psikiatrin në Manastir vetëm nga një deklaratë e imja në atë kohë, kjo deklaratë është bërë në mars 2023 kur unë nuk kam qenë I përfshirë në asnjë parti politike”, tha Bekim Qoku.

Qoku, që është deputet i VLEN-it dhe këshilltar i kryeministrit të Kosovës për Maqedoninë, thonë se është absurde arsyeja e Merkos për padi, se statusi i ka shkaktuar dhimbje shpirtërore, pasi siç shprehet Qoku, në Maqedoni ka pasur tragjedi që dhimbja nuk përshkruhet me fjalë.

“Kjo është absurde kur e dimë dhimbjen shpirtërore që kanë pësuar gjithë ata viktima sidomos tani me zjarrin në Koçan, aksidentin me autobus dhe spitalin modular do të ishte ironike të flasim për dhimbjen shpirtërore të një politikani”, shtoi Bekim Qoku.

Mbrojtja e Merkos kërkoi nga Gjykata ta pranojë padinë, pasi sipas tyre, Qoku i ka shkaktuar dhimbje shpirtërore Merkos dhe ia ka cenuar nderin dhe reputacionin. Nga ana tjetër, mbrojtja e Qokut kërkoi që Gjykata ta hedhë poshtë padinë, duke theksuar se në këtë rast ai ka shprehur mendimin e tij lidhur me zhvillimet në BDI, si dhe për paditësin që është kryetar i Komunës së Strugës, dhe se nuk ka pasur asnjë arsye për ta fyer apo shpifur ndaj tij. Aktgjykimi do të shpallet më vonë. Merko kërkon konstatimin e përgjegjësisë për fyerje të bërë dhe kompensim dëmi në vlerë prej 30.000 denarësh.