Me nevoja të posaçme dhe “të dënuar” nga institucionet! Në mes të Shkupit, rrugë të rrezikshme për shkak se janë si ara

Trotuare të larta. Ndërtesa pa shtigje të pjerrëta. Qytetarë nervozë që nuk kanë durim për bashkëqytetarët e tyre. Shteti, institucionet, lokale dhe qendrore, që bëjnë vetëpromovim, por në realitet asgjë ose pak përmirësohet.

“Porta triumfale. Simbol i sukseseve të një shteti. Në vetëm 5 metra prej këtu. Turp për diçka që duhet të quhet shoqëri të organizuar”, raporton Goran Temenugov, gazetar.

Në zemër të kryeqytetit, personat me aftësi të kufizuara fizike nuk mund të lëvizin. Arsyeja është infrastruktura e shkatërruar dhe e papërshtatshme. Është e dhimbshme dhe jashtë logjikës së shëndoshë të thuhet në dekadën e tretë të shekullit të 21-të se bashkëqytetarët tanë nuk mund të bëjnë gjëra themelore, siç është lëvizja e lirë dhe e sigurt.

“Ne do të donim të jetonim në mënyrë të barabartë si të gjithë të tjerët sepse i kemi të gjitha potencialet”, tha një bashkëqytetare me multiplekssklerozë.

“Policia e bën punën e saj dhe t’i përzë ata që parkojnë në vendin tonë dhe të mos lejojë të parkojnë dhe t’i uzurpojnë vendet tona për parking”, theksoi një nxënëse e shkollës së mesme.

Çdo histori e personave me aftësi të kufizuara fizike është po aq e vështirë sa një mal. Por rruga është gjithashtu e vështirë për familjet e tyre, të cilat, për t’u siguruar atyre të paktën lëvizshmëri minimale, duhet të heqin dorë nga shumë gjëra.

“Një prind nuk duhet të punojë dhe të sakrifikohet nëse prindi tjetër punon”, u shpreh nëna e një nxënëse e shkollës së mesme me aftësi të kufizuara.

“Tani më e rëndësishme për ne është përkrahja me asistent, të na japin ndihmë sepse edhe neve prindërve na duhet asistent. Megjithatë deri më tani nuk kemi asistent”, shtoi nëna e një nxënëse e shkollës së mesme me aftësi të kufizuara.

Rruga e nënës ishte e vështirë. Për pesë vjet, ajo e mbajti fëmijën e saj në krahë sepse jetonin në një ndërtesë. Pastaj e shitën banesën dhe ndërtuan një shtëpi të përshtatur për nevojat e fëmijës.

Derisa pritet që shteti të bëjë punën e vet, një politikan erdhi në marsh.

“Derisa nuk fillojmë të ndëshkojmë, kjo zbrazëti ligjore do të ekzistojë. Kur do të fillojmë ta bëjmë të gjithë së bashku, kjo zbrazëti ligjore nuk do të jetë më pengesë për ne, sepse edhe ne do të hasim një ditë në këtë zbrazëti ligjore”, pohoi Gjoko Vellkovski, Zv/ministër për Politikë Sociale.

Pas harmonizimit të të gjitha ligjeve, do të ketë penalizime serioze për institucionet që nuk veprojnë për të mundësuar dispozitat ligjore mbi lëvizshmërinë.

Ndërkohë, po shqyrtohen të gjitha opsionet për presion shtesë mbi institucionet.

“Absolutisht se ne si organizatë nuk heqim dorë, edhe më tej do të bëjmë presion. Se çfarë metoda dhe forma do të zbatojmë, kjo mbetet të vendosë Bordi drejtues i organizatës”, deklaroi Branimir Jovanovski, kryetar i “Mobilnost”.

Sipas përllogaritjeve të organizatave ndërkombëtare shëndetësore, mesatarisht në shtet rreth 10 deri 15% nga popullsia janë persona me invaliditet të lehtë, që do të thotë se në Maqedoni ky numër do të ishte nga 200 deri 300 mijë.