Mali i Zi dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje sigurie, Zelensky në Podgoricë më 15 maj

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do arrijë më 15 maj për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq, me të cilin do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe sigurie, brenda kuadrit më të gjerë të bashkëpunimit midis Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s, shkruan portali Dan i Podgoricës.

Sipas portalit malazez, dokumenti ndjek modelin e marrëveshjeve të sigurisë që Ukraina më parë kishte lidhur me disa vende perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është të ofrojë mbështetje afatgjatë për Ukrainën në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përmes ndihmës ushtarake, trajnimit, bashkëpunimit të inteligjencës dhe forcimit të rezistencës së vendit përballë agresionit rus.

Me këtë akt, Mali i Zi do të konfirmojë mbështetjen e tij të fortë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe do t’i bashkohet grupit të anëtarëve të NATO-s që tashmë kanë ndërmarrë angazhime sipas deklaratës së përbashkët nga korriku 2023.

Pritet që detajet e marrëveshjes të shpallen pas nënshkrimit zyrtar në Podgoricë.