Majlinda Bregu emërohet Komisionere në Komisionin Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin të OBSH

Majlinda Bregu, ish-Ministrja e Integrimit dhe ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka marrë zyrtarisht një rol të ri ndërkombëtar, këtë herë në fushën e shëndetit publik dhe klimës. Ajo është emëruar Komisionere në Komisionin Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin (PECCH), një strukturë e ngritur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për Rajonin Europian.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bregu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan:
“Jam e nderuar të ndaj lajmin se i jam bashkuar Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin (PECCH), të krijuar nga OBSH/Europa, në cilësinë e Komisioneres.”

Komisioni në fjalë është një trupë e pavarur këshillimore, e përbërë nga 10 anëtarë me profil të lartë ndërkombëtar, përfshirë ish-liderë politikë, shkencëtarë, ekspertë të mjekësisë dhe politikave publike. Anëtarët janë përzgjedhur me kujdes për të përfaqësuar një përzierje të gjerë të ekspertizës dhe rajoneve të ndryshme të kontinentit europian.

Qëllimi kryesor i këtij Komisioni është të analizojë dhe të propozojë politika për përballimin e ndikimeve gjithnjë në rritje të ndryshimeve klimatike mbi shëndetin e popullsisë. Në fokus janë çështje të tilla si ndotja e ajrit dhe ujit, rritja e temperaturave, siguria ushqimore, si dhe pasojat e fenomeneve natyrore ekstreme – përfshirë tërmetet, përmbytjet dhe thatësirat – që prekin gjithnjë e më shumë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në të gjithë Europën.

Emërimi i Majlinda Bregut në këtë post është një njohje jo vetëm për përvojën dhe angazhimin e saj në çështje rajonale dhe europiane, por edhe për rëndësinë që zëri i vendeve të Ballkanit Perëndimor ka në forume të tilla ndërkombëtare.